7 vite nga ngritja e aktakuzës, nuk arrin të mbahet seanca për krim të organizuar

Edhe sot ka dështuar të mbahet seanca për krim të organizuar, aktakuza e të cilës është ngritur në vitin 2012, para shtatë vite.

Të akuzuar në këtë rast janë: Burim Krasniqi, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Ismet Rushiti, Sami Qitaku, Egzon Rrustemi dhe Valmir Gashi.

Kontaktuar nga Kallxo.com, mbrojtësi i të akuzuarit Valmir Gashi, Avokati Ramë Gashi ka konfirmuar se për këtë rast është tentuar të mbahet edhe më parë seanca mirëpo nuk ka arritur dhe ende nuk është lexuar aktakuza.

Arsyeja e dështimit të kësaj seance sot ishte mungesa e prokurorit Sylë Hoxha, i cili edhe pse kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt nuk e kishte arsyetuar mosardhjen e tij.

Prezentë nuk ishin as të akuzuarit Shaban Krasniqi, Ismet Rushiti e Sali Citaku si dhe disa nga mbrojtësit e të akuzuarve Hasan Jashari, Ramiz Krasniqi dhe Kapllan Baruti.

Gjatë seancës kërkesë për gjykatën pati i akuzuari Burim Krasniqi. Kërkesa e tij kishte të bënte me lirimin e të akuzuarit Valmir Gashit.

“E kam marr në qafë Valmirin. Kisha pranu me u kthy në paraburgim, veç me e liru Valmirin”, tha i akuzuari Burim Krasniqi.

Valmir Gashi nga prokuroria akuzohet se ka ndihmuar Burim Krasniqin që pas kryerjes së veprës penale të arratiset nga Kosova.

Sipas prokurorisë nga fillimi i vitit 2011 deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit duke vepruar si grup i organizuar dhe strukturuar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kanë kontrabanduar emigrantë.

Më tej në aktakuzë thuhet se Burim Krasniqi si organizatorë i grupit, në lagjen “Qendresa” në podrumin e shtëpisë së tij dhe Ismet Rushiti në firmën e tij “Ylli Disinge” në Prishtinë kanë prodhuar dokumente të ndryshme të falsifikuara, pasaporta, kartela të bankës, letërnjoftime, patentë-shoferë me çmim 800 deri në 1200 euro.

Sipas aktakuzës, këto dokumente të falsifikuara janë përdorur për t’i dërguar të dëmtuarit në mënyrë ilegale nga Kosova në shtetet europiane. Emigrantët të cilët kanë arritur marrëveshje për të dalë jashtë vendit me të akuzuarit, kanë kaluar nëpër Serbi dhe pastaj në këmbë kanë shkuar deri në Hungari, ku më pas janë shpërndarë me veturë në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian. Për këto udhëtime në mënyrë ilegale, emigrantët është dashur të paguajnë 2400 deri në 2700 euro.

Burim Krasniqi dhe Ismet Rushitin prokuroria i akuzon edhe për falsifikim të dokumenteve.

Milaim Agushi akuzohet edhe se kishte poseduar substanca narkotike me qëllim që të ia shiste personave të mitur. Ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë së tij ishin gjetur edhe substanca tjera narkotike në sasi prej 420 gramë të ndara në qese të vogla të cilat ishin përgatitur për të i shitur.

Ndërsa Valmir Gashi sipas aktakuzës e ka marrë të pandehurin Burim Krasniqin nga qyteti i Prishtinës dhe e ka dërguar në pikën kufitare të Vërmicës dhe gjatë rruges ja ka dhënë edhe telefonin e tij në dispozicion të pandehurit duke i ndihmuar që të arratiset pasi kishte kryer veprën penale.