Foto: Ilustrim

7 të lënduar në një aksident trafiku në Istog

Një aksident trafiku ka ndodhur rreth orës 17:30 në fshatin Bellopojë të Istogut.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Rugova ka bërë të ditur se shtatë persona kanë pësuar lëndime trupore.

“Sot rreth orës 17:30, policia është informuar se ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Bellopojë të komunës së Istogut. Si pasojë e aksidentit, shtatë persona kanë pësuar lëndime trupore. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë. Mirëpo, sipas ekipit mjekësor, të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë zyrtari policor.

Policia e Kosovës para disa orësh ka bërë apel që të respektohen rregullat e trafikut, pasi thonë se edhe kanë shtuar masat dhe aktivitetet për të rritur sigurinë në trafik.

“Ndaj kundërvajtësve po zbatohet zero tolerancë, kështu këto ditë kemi numër rekord të ndëshkimeve për shkelësit e rregullave të trafikut. Për tetë ditë të shkuara, janë 13 319 gjoba të shqiptuara, aktivitete do të vazhdojnë, POR kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik respektim i rregullave të trafikut, në mënyrë që rrugët tona të jenë më të sigurta”, thuhet në njoftimin e PK-së.