foto: Ilustrim

7 të arrestuar në Gjakovë pasi hapën lokalet

Shtatë persona janë arrestuar dje në Gjakovë pasi kishin shkelur vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e lokaleve si parandalim për shpërndarjen e pandemisë COVID-19.

Policia ka njoftuar se prej 7 të arrestuarve, vëtëm një është dërguar në mbajtje të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Sipas njoftimit, në fshatin Ponoshec, në Gjakovë mbrëmë rreth orës 19 i dyshuari nuk kishte zbatuar vendimin për mbyllje të lokaleve duke shërbyer pije në lokalin e tij.

Me vendim të prokurorit pas intervistimit i njëjti është dërguar në mbajtje.

Personat e tjerë të cilët u arrestuan për të njëjtën vepër pra për hapje të lokaleve sipas policisë janë të fshatrave, Ujzi, Kijevë, dhe në Gjakovë.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 63 raste të infektuar me virusin pandemik.

Qeveria e Kosovës përpos masave për mbylljen e shumicës së bizneseve, ka prezantuar edhe vendimin për ndalimin e qarkullimit në orë të caktuara gjatë ditës për qytetarët.