69 persona të vrarë në një sulm në jugperëndim të Nigerit

Persona të armatosur vranë 69 persona, përfshirë edhe një kryetar bashkie në një sulm në një zonë të largët të Nigerit, si vazhdimësi e një vale dhune kundër civilëve që ka përfshirë vendin këtë vit, tha ministri i Brendshëm, raporton CNN.

Një delegacion i kryesuar nga kryetari i bashkisë së Banibangou u zu në pritë të martën, rreth 50 kilometra pranë kufirit me Malin. Zona është e pushtuar nga militantë të lidhur në komunitetet rurale këtë vit.

15 persona arritën të mbijetonin dhe një operacion kërkimi është duke u zhvilluar, tha ministri i Brendshëm, Alkache Alhada në televizionin shtetëror. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Një zonë e thatë dhe e goditur nga varfëria në Afrikën Perëndimore që përfshin territoret kufitare të Nigerit, Malit dhe Burkina Fasos është përfshirë nga dhuna në vitet e fundit. Ndërsa grupet e armatosura, disa të lidhura me Al Kaedën, kanë kërkuar të vendosin kontrollin mbi komunitetet dhe të çlirojnë rajonin nga forcat ushtarake vendase dhe ndërkombëtare. Mijëra civilë janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur.

Sipas të dhënave të ofruara nga Projekti i të dhënave për vendndodhjen dhe ngjarjet e konflikteve të amatosura (ACLED), duke mospërfshirë sulmin e së martës, grupet islamike kanë vrarë më shumë se 530 njerëz në sulmet ndaj civilëve në rajonet kufitare të Nigerit jugperëndimor këtë vit, mbi pesë herë më shumë se në të gjithë vitin 2020.

Në gusht, militantët kryen një sërë sulmesh në ketë zonë, duke përfshirë një sulm në të cilin u vranë 37 persona.

Militantët shpesh synojnë zyrtarët lokalë, duke përfshirë kryetarët e bashkive, kryetarët e fshatrave dhe pleqtë fetarë në një përpjekje për të destabilizuar komunitetet, duke i lënë ata të prekshëm ndaj zhvatjes dhe sulmit. Qindra zyrtarë të tillë janë vrarë ose rrëmbyer që nga fillimi i vitit 2018.