68 mijë vizitorë në Kosovë, për tre muaj

Në tre muajt prill-qershor të sivjetmë, Kosovën e vizituan mbi 68 mijë persona.

Në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018-të, numri i vizitorëve është pothuajse i njëjtë, por sivjet qëndruan më gjatë. Përqendrimi i tyre ishte kryesisht në rajonin e  Prishtinës dhe Prizrenit.

Nga gjithsej 68 mijë e 251 vizitorët që erdhën në Kosovë, më shumë se gjysma ishin të huaj.

“Në TM2 2019 numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) është 68 251 prej tyre 35.33% janë vendorë dhe 64.67% janë të huaj, ndërsa numri i net-qëndrimeve është 115 501 prej tyre 39.70% nga vendorët dhe 67.39% nga të huajt.”, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në tre muajt prill-qershor të vitit 2018-të, numri i vizitorëve ishte 68 mijë e 609 apo 358 vizitorë më shumë, me net qëndrimi 109 mijë e 631.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 27 mijë e 563 vizitorë dhe 47 mijë e 534 net-qëndrimi.

“Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Gjermania, Turqia, etj.”

ASK më tej trefgon se këtij publikimi i është bashkangjitur edhe një shtojcë e veçantë, që përmban të dhëna nga Policia e Kosovës, lidhur me numrin i vizitorëve të huaj sipas pikë-kalimeve kufitare gjatë vitit 2017-2018.

Këto të dhëna u bënë publike nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) përmes raportit “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për tremujorin e dytë (TM2) 2019”.

Në tremujorin e dytë të vitit 2019 (TM2 2019), pjesë e anketës ishin 216 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës. Pjesa më e madhe e hoteleve gjenden në rajonin e Prishtinës, Pejës, e kështu me radhë.