67 gazetarë dhe punonjës të medias të vrarë në vitin 2022
Lufta e Rusisë në Ukrainë, kaosi në Haiti dhe dhuna në rritje nga grupet kriminale në Meksikë kontribuan në një rritje prej 30% të numrit të gazetarëve të vrarë duke bërë punën e tyre në vitin 2022 krahasuar me një vit më parë, sipas një raporti të ri të publikuar të premten.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve thotë se 67 gazetarë dhe staf mediatik janë vrarë në mbarë botën deri tani këtë vit, krahasuar me 47 gazetarë të vrarë vitin e kaluar.
Grupi me seli në Bruksel numëroi gjithashtu 375 gazetarë të burgosur aktualisht për punën e tyre, me shumicën prej tyre në Kinë, Myanmar dhe Turqi. Raporti i vitit të kaluar rendiste 365 gazetarë prapa grilave.
Me rritjen e numrit të të vrarëve nga radhët e punonjësve të medias, grupi i lartcekur u bëri thirrje qeverive të ndërmarrin veprime më konkrete për t’i mbrojtur gazetarët dhe gazetarinë e lirë.
“Dështimi për të vepruar vetëm do t’i inkurajojë ata që kërkojnë ta shtypin rrjedhën e lirë të informacionit dhe ta minojnë aftësinë e njerëzve për t’i mbajtur udhëheqësit e tyre përgjegjës, duke përfshirë sigurimin që ata me pushtet dhe ndikim të mos qëndrojnë në rrugën e shoqërive të hapura dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të IFJ, Anthony Bellanger.
Më shumë punonjës të medias u vranë duke mbuluar luftën në Ukrainë – 12 gjithsej – se në çdo vend tjetër këtë vit, sipas IFJ. Shumica ishin ukrainas, por ky numër përfshin edhe ata të kombësive të tjera, si regjisori amerikan i filmave dokumentarë Brent Renaud. Shumë vdekje ndodhën në javët e para kaotike të luftës, megjithëse kërcënimet ndaj gazetarëve vazhdojnë ndërkohë që luftimet zvarriten.
IFJ tha se “sundimi nga terrori i organizatave kriminale në Meksikë dhe prishja e rendit dhe ligjit në Haiti, kanë kontribuar gjithashtu në rritjen e vrasjeve”. Viti 2022 ka qenë një nga më vdekjeprurësit ndonjëherë për gazetarët në Meksikë, e cila tani konsiderohet si vendi më i rrezikshëm për gazetarët jashtë një zone lufte.
Grupi i lartcekur regjistroi pesë vdekje të gazetarëve në mes të krizës politike të këtij viti në Pakistan dhe paralajmëroi për kërcënime të reja ndaj gazetarëve në Kolumbi dhe rrezik të vazhdueshëm për gazetarët në Filipine, pavarësisht udhëheqjes së re atje.
Ai gjithashtu bëri thirrje për vrasjen e gazetares së Al Jazeera, Shireen Abu Akleh, teksa ajo po raportonte nga një kamp refugjatësh palestinezë. Rrjeti arab këtë javë i kërkoi zyrtarisht Gjykatës Ndërkombëtare Penale ta hetojë vdekjen e saj.
IFJ me qendër në Bruksel përfaqëson 600,000 profesionistë të medias nga sindikatat dhe shoqatat në më shumë se 140 vende të botës. Raporti u publikua në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara./Associated Press
Përgatiti: Nuhi Shala