Klinika Infektive QKUK - FOTO KALLXO - Mars 2020

63 pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar në QKUK dhe spitalet rajonale

44 pacientë me coronavirus janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një qytetar është në gjendje të rëndë, përderisa 40 janë në me oksigjenoterapi.

11 pacientë me COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një prej tyre është në gjendje të rëndë, ndërsa 34 të tjerë janë duke u trajtuar në Klinikën e Pulmologjisë.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës gjithashtu njofton se 19 pacientë janë duke u trajtuar në shtatë spitalet rajonale në vend.

“Në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 19 pacientë, dy në gjendje të rënduar, 11 të konfirmuar pozitivë, 11 me oksigjenoterapi”, thuhet në njoftim.

Sa i përket rasteve pozitive Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike dje ka njoftuar se një person ka vdekur me COVID-19 përderisa tetë persona të tjerë kanë rezultuar pozitivë.

Numri total i të vdekurve me coronavirus nga 22 marsi deri më tani është 2,252, ndërsa të infektuar janë 107,653 qytetarë si dhe të shëruar janë 105,227.

Në anën tjetër është duke vazhduar vaksinimi masiv në nivel vendi, nga të dhënat e fundit nga salla ‘1 Tetori’ në kryeqytet, koordinatori Niman Bardhi, ka treguar se deri në orën 12:00 janë vaksinuar mbi 250 qytetarë përderisa në nivel vendi vaksinën kundër coronavirusit e kanë marrë mbi 3 mijë e 500 qytetarë.

Dje janë vaksinuar 965 qytetarë.

Në anën tjetër nga fillimi i vaksinimit në nivel vendi janë vaksinuar 133 mijë 868 qytetarë, përderisa 17 mijë 811 prej tyre janë vaksinuar me dozën e dytë.