Foto: Policia e Kosovës

600 kilogram duhan tentohen të futen në Kosovë përmes kuajve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë mbrëmjes së djeshme ka konfiskuar gati 600 kilogram duhan të cilat thuhet se ishin kontrabanduar përmes katër kuajve nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.

Në njoftimin e Policisë është thënë se nga informacione inteligjente të tyre kanë kuptuar se ngarkesa së bashku me kuajt kanë pasur destinacion shtëpinë e personit të dyshuar Z.N., në fshatin Lubishtë të Vitisë.

“Duke u bazuar në informacione inteligjente, ngarkesa së bashku me kafshët-kuajt, kishin pasur destinacion shtëpinë e personit të dyshuar Z.N., në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë, me qëllim të ringarkesës në një automjet me targa vendore”, është thënë në njoftimin e Policisë.

Tutje Policia ka treguar se konsultimeve me prokurorin kompetent, është bastisur një shtëpi e pabanuar ku janë gjetur një sasi e konsiderueshme e duhanit të papërpunuar.

“Në total janë gjetur 34 thasë duhan ‘refuz’ të papërpunuar, mbi 500 kilogramë dhe 94 paketime duhan, rreth 1 kg, e që bën rreth 94 kg në total”, ka thënë Policia.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, thuhet se duhani i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganës së Kosovës dhe se vendimet e mëtejme do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent.

Foto: Policia e Kosovës
Foto: Policia e Kosovës
Foto: Policia e Kosovës
Foto: Policia e Kosovës