60 vende të reja të punës për gratë në Stanoc të Epërm dhe Vushtrri

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhaferi Tahiri, përmes një postimi në facebook ka njoftuar se 60 gra të zonës së Vushtrrisë e veçanërisht ato nga fshati Stanoci i Epërm, pritet që së shpejti të punësohen.

“60 vende të reja të punës për gratë e zonës së Stanocit të Epërm dhe Vushtrrisë. Sot kam nënshkruar marrëveshje me Xhelal Ismajli, pronar i firmës “VITEX” për dhënie në shfrytëzim afatshkurtër të objektit të vjetër të ish shkollës “Migjeni” në Stanoc të Epërm”, ka njoftuar Tahiri.

Ai tutje ka njoftuar se në këtë objekt i cili është  jashtë funksionit pasi është ndërtuar objekti i ri modern i shkollës, do të vendoset një fabrikë e tekstilit ku do të punësohen mbi 60 gra.

“Objekti është dhënë në shfrytëzim pa kompensim nga Komuna e me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës. Urime”, ka shkruar Tahiri.

Në njoftimin e kompanisë “Vitex Group”, thuhet se të interesuarit nga Komuna e Vushtrrisë dhe më gjerë, mund të aplikojnë për vende pune.

Në bazë të njoftimit, konkursi është shpallur për një menaxher i përgjithshëm, dy menaxher departamentesh, 30 punonjës, 30 ndihmës punonjës dhe dy rojtar.

Kandidatët e interesuar për këto pozita mund të aplikojnë nga ata 8 mars deri më 31 mars 2021.

Edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë vije nga fshati Stanoc i Komunës së Vushtrrisë, ku pritet të vendoset fabrika e tekstilit.