Një person duke u testuar për COVID-19 në Prishtinë - Foto: REL/AFP

6 viktima nga COVID-19 edhe në Maqedoninë e Veriut, 147 raste të reja

Gjashtë pacientë të prekur me COVID-19 kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut. Tre prej tyre janë nga Shkupi ndërsa tre të tjerët nga Kumanova, Shtipi dhe Berova, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë, përcjell tv21.tv.

Në Klinikën për Sëmundje Ngjitëse në Shkup ka ndërruar jetë një pacient 63-vjeçar nga Shkupi. Në Spitalin “8 shtatori” kanë ndërruar jetë dy pacientë nga Shkupi të moshave 59 dhe 63-vjeç, si dhe një pacient nga Shtipi i moshës 36-vjeçar. Në Spitalin e Shtipit ka ndërruar jetë pacient nga Berova i moshës 69-vjeçare ndërsa në Kumanovë ka ndërruar jetë një pacient 78-vjeçar.

Rastet e reja

Në 24 orët e fundit, nga gjithsej 1296 teste të bëra, 147 persona kanë rezultuar pozitiv në COVID-19. 64 prej tyre janë nga Shkupi, 16 nga Tetova, 9 nga Gostivari, 8 nga Kumanova, 7 nga Struga, 7 nga Shën Nikolla, 6 nga Shtipi, 5 nga Velesi, 5 nga Ohri, nga 4 të infektuar në Manastir, Kërçovë dhe Resnjë, 3 në Prilep dhe nga 1 rast i ri në qytetet Strumicë, Kriva Pallankë, Koçan, Probishtip dhe Kratovë.

Të shëruarit

Sot Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 111 pacientë të shëruar. 56 nga Shkupi, 36 nga Tetova, 7 nga Shtipi, 3 nga Manastiri, nga 2 të shëruar në Veles, Resnjë dhe Gjevgjeli si dhe nga një i shëruar në Gostivar, Strumicë dhe Shën Nikollë.

Numri total i rasteve aktive të të infektuarve për momentin është 3611. Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoni janë infektuar gjithsej 6932 persona, prej të cilëve 2987 janë shëruar, ndërsa 334 e kanë humbur betejën me sëmundjen./TV21