6 raste të reja me COVID-19 në Prishtinë

Sipas rezultateve të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, 37 persona kanë dalë pozitiv me coronavirus.

Prej 37 personave që kanë dalë pozitiv me coronavirus, 6 janë nga Prishtina.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se nga 61 teste të kontakteve në Prishtinë, 6 kanë rezultuar pozitiv prej tyre shumica janë familjarë të ngushtë të një rasti dje.

“I urojmë shërim të shpejtë të gjithëve dhe vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi. Numri i vazhdueshëm i ultë na lejon zbutjen e masave më shpejtë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Instituti ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë raste me vendbanim në Lipjan, tetë raste me vendbanim në Pejë, gjashtë raste me vendbanim në Prishtinë, pesë raste me vendbanim në Skorobishtë-Prizren, katër raste nga Komuna e Podujevës, sipas vendbanimit dy  raste Podujevë dhe dy raste Pollatë, dy raste nga komuna e Zubin Potokut dhe nga një rast vendbanimet: Pjetërshticë-Shtime, Stubëll-Viti dhe Zveçan.

Sipas të dhënave të fundit të Worldometrics, në të gjithë botën numri i të infektuarve me coronavirus është mbi 2.4 milionë kurse numri i të vdekurve ka shkuar mbi 170 mijë.

Vendi me më së shumti të prekur është ShBA, me mbi 780 mijë raste, e ndjekur nga Spanja me mbi 200 mijë dhe Italia me 181 mijë.