Foto-ilustrim

6 raste të dhunës në familje të raportuara në Polici në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar disa persona që dyshohet se kanë shkaktuar dhunë në familje.

Arrestimet e Policisë në 24 orët e fundit përfshijnë disa qytete.

Një person në Pejë është arrestuar për dhunë në familje, ndërsa Policia kishte gjetur edhe disa armë pa leje.

“Djali i të dyshuarit, i kishte dorëzuar policisë një pushkë gjysëm-autmatike pasi ia kishte marrë të dyshuarit duke evituar rrezikun për lëndimin e ndonjë anëtari të familjes. Në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar edhe 36 fishekë, një karikator dhe 5 thika te ndryshme. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim e Policisë së Kosovës.

Ndërsa në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar një vajzë, e cila dyshohet se të kishte ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së saj, e cila me vendim të prokurorisë është dërguar në mbajtje.

Në Ferizaj, një burrë është arrestuar nën dyshimin se i ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij pas një zënkë verbale.

“Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore  për çka dhe i është ofruar tretmani mjekësorë. I dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Në Leposaviq më 29 maj, një grua e ka informuar policinë se është kanosur përmes telefonit nga ish-bashkëshortit të saj. Këtë rast është duke e hetuar policia.

Në anën tjetër, në 24 orët e fundit në Prizren kanë ndodhur dy raste të dhunës në familje.

Në një rast, dyshohet se një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortës së saj, por që sipas policisë lëndime trupore kanë pësuar të dy, edhe sulmuesi edhe viktima.

“Tretmani mjekësor u është ofruar të dyve, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Kurse në Shatërvan, në Prizren më 31 maj, është arrestuar një person, me shtetësi amerikane i cili pas një mosmarrëveshje sipas policisë kishte kanosur dy viktimat një mashkull dhe një femër.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.