Foto: Ilustrim

6 raste të dhunës në familje të raportuara në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar për gjashtë raste të dhunës në 24 orët e fundit në lokacione të ndryshme të Kosovës: dy në Prishtinë, një në Gjilan, një në Gjakovë, një në Mitrovicë dhe një në Prishtinë.

Për rastin e parë në Prishtinë, Policia njofton se një burrë ka raportuar se pas një mosmarrëveshje me djalin e bashkëshortes së tij, ky i fundit dyshohet se ka tentuar ta sulmojë. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 6:00.

Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Po ashtu një grua nga Prishtina, para disa ditësh ka raportuar se burri i saj ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike vazhdimisht. Sipas raportit policor, me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.

Rasti tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Gjilan, ku është arrestuar një person pasi dyshohet se kishte rrahur babain e tij. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 18:00.

Policia raporton se nuk ka lëndime. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një grua në Gjakovë, është ankuar në Polici se është keqtrajtuar psiqikisht nga burri saj. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 12:00.

Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt, thuhet në raportin policor.

Në Mitrovicë gjithashtu është raportuar për dhunë në familje. Një grua është ankuar në Polici për burrin e saj i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 12:00.

Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt, njofton Policia.

Ndërsa për rastin në Vushtrri, Policia njofton se një burrë është ankuar se vajza e tij me probleme shëndetësore ka tentuar ta sulmojë. Rasti ka ndodhur dje rreth orës 10:30.

Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt, thuhet në raportin policor.