6 muaj burgim me kusht, për 10 euro ryshfet në kufi me Serbinë

Senisha Popadiq, i akuzuar për dhënie ryshfeti në shumë prej 10 euro, në seancën fillestare ka deklaruar se e pranon fajësinë.

Meqenëse i njëjti e ka pranuar fajësinë, më pas është bërë edhe shpallja e aktgjykimit.

Gjykata e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në afatin prej 1 viti i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënim me gjobë në shumë prej 600 euro, i cili dënim duhet të paguhet në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu është konfiskuar edhe kartëmonedha prej 10 euro.

Gjithashtu Popadiq është detyruar t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës si dhe në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast është bërë nga gjykatësi Isuf Makolli.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Senisha Popadiq, më 27.08.2020, rreth orës 14:00, në pikën kufitare në Merdar, në hyrje të Republikës së Kosovës, në rimorkion e veturës së tipit ‘Mercedes,’ të cilën e drejtonte, kishte të ngarkuara dy vetura të tipit “Polo”dhe ‘Caddy’.

Tutje në aktakuzë thuhet se duke qenë në dijeni se dokumentacionin për transportimin e këtyre automjeteve nuk e kishte të kompletuar, me rastin e dorëzimit të dokumenteve zyrtarit policor B.B., në mesin e tyre e vendos edhe kartëmonedhën prej 10 euro, ashtu që në mënyrë të drejtpërdrejt personit zyrtar, i ka ofruar si dhuratë të pa arsyetueshme me qëllim që ky i fundit të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.