6 komunat që morën pjesë në takimin me ministrin Vitia kundërshtuan masat e reja

Vetëm gjashtë kryetarë ose disa nënkryetarë komunash i janë përgjigjur mbledhjes virtuale së ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia për të diskutuar për masat anti COVID-19.

Siç ka njoftuar për KALLXO.com drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, përfaqësuesit e komunave kanë arritur në përfundim që masat e propozuara të mos përkrahen me arsyetimin se do të ketë ndikim ekonomik në nivelin lokal.

Ibrahimi tha se krerët e komunave në këtë takim kërkuan shtim të numrit të inspektorëve komunalë.

“Në atë takim kanë marrë pjesë 6 kryetarë të komunave dhe disa nënkryetarë. Si konkluzion masat e propozuara nga Ministria mos të përkrahen sepse do të ketë pasoja ekonomike në nivelin lokal. Është kërkuar respektim i shtuar i masave aktuale, shtim i inspektorëve komunalë në mënyrë që masat aktuale të zbatohen në plotësi dhe shtrohet pyetja a quhet një proces konsultativ nëse në të janë vetëm 6 kryetarë të komunave”, u shpreh ai për KALLXO.com

Dje KALLXO.com raportoi se nga data 6 prill e deri me datën 18 prill pritet që të ketë mbyllje totale të gastronomisë dhe qendrave tregtare.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, në takimin virtual me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kundërshtuar kategorikisht mbylljen totale si masë e frenimit të pandemisë COVID-19.

Mirëpo, ministri Elbert Krasniqi tha se të pranishmit u pajtuan qe bashkërisht duke i koordinuar të gjitha veprimet rreth masave të reja, mund t’ia dalin për të minimizuar dhe tejkaluar sfidat me të cilat janë duke u perballur me pandeminë COVID-19.