6 autobusë me përkrahës të LVV-së nisen drejt Prishtinës nga Mitrovica

Autobusë të mbushur me aktivistë dhe përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbushur për të grumbulluar në Prishtinë pjesëmarrës në tubimin e organizuar nga partia e Albin Kurtit.

Në Mitrovicë,  aktualisht 6 autobusë po mbushen te hotel “Adriatiku”.

Kushtrim Zeneli, sekretar organizativ i LVV-së në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KALLXO.com, se janë afërsisht 700 aktivistë të cilët me 6 autobusë dhe me mbi 50 automjete private që do të udhëtojnë për Prishtinë.

Sipas tij, ata do të pajisen me maska mbrojtëse dhe dorëza, ndërsa gjatë udhëtimit do t’i matet temperatura secilit prej tyre.

“Jemi gjithsej nga Qendra jonë në Mitrovicë 600 deri 700 aktivistë, të cilët do të marrim pjesë në tubimin që do të mbahet në Prishtinë. Kemi 6 autobusë dhe mbi 50 automjete deri tash të konfirmuara me të cilat do të shkojmë. Ata do të furnizohen me maska dhe doreza, dhe po ashtu kemi edhe infermiere në anëtarësinë tonë, të cikat do  t’ua masin temperaturën secilit”, ka thënë Zeneli.

Përkrahësit e LVV-së janë nisur edhe nga qyteti i Pejës.

Tubimi i Lëvizjes Vetëvendosje do të filloi nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” ku pritet të mbaj fjalim edhe lideri i kësaj partie, Albin Kurti.