Foto: Edi Rama, Facebook

6.3 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë brenda shtatë muajve, prijnë kosovarët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar disa të dhëna lidhur me numrin e vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri nga muaji janar deri në korrik të vitit 2024.

Rama ka thënë se ka pasur rritje të lartë të numrit të vizitorëve në zonat malore dhe në liqenet e lumenjtë e vendit, nga veriu në jug, “falë, jo vetëm imazhit të ri joshës të Shqipërisë, por dhe përmirësimeve të konsiderueshme të infrastrukturës e rritjes së numrit të njësive të shërbimit”.

Sipas statistikave të publikuara nga ai, gjatë muajve janar – korrik 2024, numri i vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është 6 milionë e 300 mijë.

Ndërsa, sipas shtetësive numri më i madh i vizitorëve është nga Kosova, 2.4 milionë vizitorë.

Sipas këtyre të dhënave, nga Italia janë regjistruar 636 mijë vizitorë, nga Maqedonia e Veriut 481 mijë vizitorë, nga Turqia 206 mijë, Polonia 174 mijë e të tjerë.

Rama ka thënë se Shqipëria Turistike po vazhdon të rritet me shpejtësi, “bashkë me nevojat e padiskutueshme, pritshmëritë e natyrshme, pretendimet e mirëkuptueshme, kritikat e pashmangshme apo edhe sulmet që i bëhen nga burime të llojllojshme keqinformimi apo dizinformimi”.

“Edhe keqinformimi e dizinformimi kanë pasur rritjen e tyre në çdo drejtim, falë shpejtësisë marramendëse të gënjeshtrës në kohën që jeton bota e sotme e kanaleve, portaleve e socialeve, por ashtu siç dielli nuk mbulohet dot me shoshë, as e vërteta e këtij vendi që bëhet më i mirë, më tërheqës, më i sigurtë në rrugën drejt majës së #SHQIPËRISË2030 nuk zhbëhet dot nga askush”- ka thënë ai.