COVID-19 Ilustrim: Naser Fejza

585 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se në 24 orët e fundit, nga 6 mijë e 589 testime, 585 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Sipas MSh-së, gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Ndërkaq, sipas të dhënave, në 24 orët e fundit janë dhënë 3,830 doza të vaksinës kundër coronavirusit.

“Sot janë shëruar 57 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 158,372. Në total numri i rasteve aktive është 3,339”, thuhet në njoftim.

Ministria njofton se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1 milion e 708 mijë e 466 doza të vaksinës.

Ndërsa, deri më sot 794 mijë e 496 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

“Deri më sot janë dhënë 27,183 doza përforcuese dhe 2,147 doza të treta të vaksinës kundër COVID-19”.

Në Kosovë, javët e fundit ka pasur rritje të numrit të rasteve të reja me coronavirus. Para 10 ditësh në Kosovë, ishin konfirmuar 38 raste të reja me COVID-19, ndërsa më 12 janar 2022 u shënuan 424 raste. Edhe numri i testimeve është rritur.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka bërë të ditur se bazuar në raportet e datës 14 janar 2021 nga klinikat COVID-19 në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, në trajtim mjekësor janë 36 pacientë të konfirmuar me COVID-19 pozitivë dhe 25 të tjerë post-COVID-19.