
55-vjet UP, Hajrullahu: UP ishte motori i lirisë, pavarësisë, demokracisë e shtetësisë së Kosovës
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka festuar 55-vjetorin e themelimit të tij të premten, më 14.02.2025.
Rektori i Univeristetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu në një dokumentar për UP-në, i cili është publikuar të premten, ka kujtuar demostratat e vitit 1968 dhe shumë të tjera, në të cilat sipas tij, “UP-ja u kërkua me të drejt e zëshëm”.
“Universiteti i Prishtinës më i madhi, më i rëndësishmi dhe më i suksesshmi Institucion i Arsimit të Lartë në Kosovë, i rënditur më së larti nga të gjitha universitetet e hapësirave gjeografike shqiptare në platformat ndërkombëtare po i mbushë plot 55 vjet. Vitet e aparteidit gjatë të ‘90-ave që rezultuan në gjenocid, tentim-zhbërje të plotë të njerëzve dhe të institucioneve vazhdojnë ende të jenë histori e gjallë edhe në memorien e Universitetit të Prishtinës dhe njerëzve të tij” – ka thënë Hajrullahu.
Në dokumentar janë shfaqur edhe demostratat e studentëve të datës 01.10.1997.
Sipas Hajrullahut, UP ishte “motori i lirisë, pavarësisë, demokracisë e shtetësisë së Kosovës si dhe i ngritjes akademike jo vetëm të njerëzve të Kosovës së sotme, po edhe i të gjithë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë e përtej”.
Hajrullahu nuk e ka lënë pa përmendur se president e presidente, kryeministra e njerëz të dijshëm dolën nga UP-ja.
“Është koha që Universiteti i Prishtinës t’i kthehet plotësisht vetës e shkencës, formës e përmbajtjes që Institucioni i Arsimit të Lartë duhet të ketë në shekullin 21, në epokën e post-digjitalizimit e atë të inteligjencës artificiale” – ka theksuar Hajrullahu.
Hajrullahu thotë se në UP ka nisur evidentimi elektronik i pjesëmarrjes së profesorëve dhe studentëve në ligjërata përmes QR kodeve.
“Përveç synimit të ndërkombëtarizimit dhe digjitalizimit të Universitetit, personel akademik e studentë së bashku duhet të orientohen e thellohen edhe më fort që të ndihmojnë njerëzit e vendit ku jetojnë dhe të lidhin dijet dhe shpikjet që bëjnë me zhvillimin e gjithanshëm dhe nevojat e tregut të punës” – tha Hajrullahu.
Ai ka veçuar dy projekte të studentëve të UP-së që kanë rezultuar në dy pajisje të njohura brenda e jashtë vendit. Njëra pajisje është dizajnuar për të parashikuar dhe parandaluar sëmundjet e sistemit kardiovaskular dhe respirator përmes analizës së frymëmarrjes dhe rrahjeve të zemrës.
“Ky projekt ka hyrë në mesin e 40 ideve më inovative në botë edhe pse ishte në konkurrencë me hiç më pak se sa 110,000 ide të tjera” – ka shtuar Hajrullahu.
Kurse, një profesor dhe student i UP-së kanë ndërtuar një prototip të një ventilatori mekanik, i cili shërben sipas Hajrullahut, për të pompuar oksigjenin dhe nxjerrë dioksidin e karbonit nga mushkërit e njerëzve që kanë frymëmarrje të vështirësuar ose u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike.
Në këtë përvjetor të UP-së, profesorëve e studentëve të dalluar, Hajrullahu u ka ndarë mirënjohje në emër të Universitetit.
Arben Hajrullahu u zgjodh rektor i UP-së për katër vjet, më 07.08.2024 nga Këshilli Drejtues i UP-së.
Në ceremoninë e shënimit të 55-vjetorit të UP-së mori pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila po ashtu e ka uruar UP-në për këtë përvjetor.
“UP si qendra më e shquar e dijes në Kosovë, prej pesë dekadash ka zhvilluar kapacitetin intelektual të rinisë sonë, duke i përgatitur ata për ta udhëhequr dhe mbrojtur vendin tonë në të ardhmen” – ka shkruar Nagavci në Facebook, më 14.02.2025.
Themelimi i UP-së ishte një ngjarje historike për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar.
Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13.02.1970, kurse dy ditë më vonë, më 15.02.1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.