54 punëtorë shëndetësorë u infektuan me COVID-19 në Prishtinë për më pak se tri javë

Drejtori komunal i shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka njoftuar se nga data 19 tetor e deri më sot janë infektuar 54 punëtorë shëndetësorë.

Sipas tij, nëse ky numër vazhdon të rritet atëherë do të rrezikohen kapacitetet për ofrimin e shërbimeve në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Ai ka lutur qytetarët për kujdes të shtuar në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit COVID-19.

“Këtë fundjavë po e fillojmë me masa shtesë restriktive kundër përhapjes së #covid19 me vendim të Qeverisë. Rritja e madhe dhe e shpejtë e rasteve e ka rënduar edhe më tej situatën epidemiologjike në vendin tonë. Të gjithë duhet të jemi më të ndërgjegjshëm, ndaj vetes dhe të tjerëve rreth nesh, andaj ju lusim shumë që të vazhdojmë me kujdes të shtuar, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtutjeshme të virusit”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Kujtojmë se vetëm dje nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës janë raportuar 728 raste pozitive dhe 12 raste të vdekjes me SARS CoV-2.

Pasditen e djeshme, Qeveria e Kosovës doli me masa të reja si përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit.

Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Shtimja, Gjilani, Podujeva dhe Gjakova për dy ditë radhazi do të futen në karantinë. Masat e reja vlejnë nga nata e mbrëmshme në ora 20:00 deri të hënën në ora 5:00.

Po ashtu nga mbrëmë me masat e reja ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00.