Largimi i afganëve nga Kosova, Foto: MPB

54 afganë largohen nga Kosova për në ShBA

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se 54 qytetarë afganë sot në mëngjes janë larguar nga Kosova për në ShBA.

MPB-ja ka theksuar se po punon ngushtë me Ambasadën e ShBA-së në Kosovë për zhvendosjen e afganëve.

“Sot ju uruam lamtumirë 54 miqve tanë afganë, të cilët sot herët në mëngjes u larguan nga Prishtina për në SHBA. Patëm kënaqësi që t’i mirëpritnim këtu dhe t’ju tregonim mikpritjen e vendit tonë. Po punojmë pandërprerë me partneren tonë, Ambasadën Amerikanë në Prishtinë që mysafirët nga kampi Liya të mund të largohen nga Kosova dhe t’ia fillojnë jetës së re. Ju urojmë gjithë të mirat dhe shpresojmë të dëgjohemi sërish me ta”, thuhet në njoftim.

Qindra afganë ishin evakuuar nga Afganistani në Kosovë dhe vende tjera, pasi Shtetet e Bashkuara ishin larguar përfundimisht nga misioni i tyre në Afganistan dhe marrjes së pushtetit nga talebanët.