53 personat e izoluar në Qendrën e Studentëve dalin negativ

Zëvendësministri në detyrë i Shëndetësisë, Izet Sadiku ka njoftuar se sot janë testuar 53 persona të vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe të gjitha rastet kanë rezultuar negative.

Sadiku ka njoftuar se këta 53 persona nesër do të lirohen por të njëjtit duhet të vetizolohen për 14 ditë në shtëpi.

Sipas Sadikut, ky është grupi katërt i të testuarve në 4 ditët e fundit prej 190 të testuarve, ku të gjithë kanë rezultuar negativ.

“Faleminderit të gjithë stafit që janë të angazhuar në Karantinë: zyrtarët e Qendrës së Studentëve, Policia e Kosovës, zyrtarëve të MSh-së, ekipeve mjekësore të IKSHPK-së, ekipeve mjekësore të mjekësisë familjare dhe grupit të madh e të pa lodhshëm të vullnetarëve të cilët po kontribuojnë në mbarëvajtjen e punëve në Karantinë!”, ka shkruar Sadiku në Facebook.

Nga 13 marsi, kur është lajmëruar i prekuri i parë me coronavirus, e deri më sot, në Kosovës janë shënuar 145 raste me coronavirus, 23 të shëruar dhe 1 i vdekur.