525 mungesa të deputetëve gjatë sesionit pranveror, KDI kërkon miratimin e Kodit të sjelljes

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sot më 10.09.2024, ka shpalosur raportin vlerësues për punën e Kuvendit të Kosovës në sesionin pranveror janar-korrik 2024, gjatë të cilit janë zhvilluar 29 seanca.

Sipas raportit, vetëm në këtë sesion deputetët munguan 525 herë, apo mesatarisht për çdo seancë munguan 24,3% e deputetëve.

KDI ka theksuar se Kuvendi duhet të miratojë gjatë sesionit vjeshtor edhe Kodin e Sjelljes së Deputetëve, i cili për disa muaj po pret miratimin përfundimtar.

Violeta Haxholli, menaxhere e projektit tha se Kuvendi gjatë këtij sesioni ka shënuar një rënie në aktivitetin e tij, duke vënë theksin se për gjithsej 13 javë pune nuk janë organizuar fare seanca.

“Përkundër rekomandimeve të vazhdueshme të KDI-së për planifikim më të mirë dhe racional të punës, rendi i ditës për të gjitha seancat e rregullta ishte i stërngarkuar dhe nuk arriti të trajtohet asnjëherë në tërësi. Si rezultat, pikat e rendit të ditës kanë vazhduar të barten nga seanca në seancë. Shkak kryesor për mosrealizim të rendit të ditës mbetet mungesa e kuorumit të nevojshëm. Vetëm në këtë sesion deputetët munguan 525 herë, apo mesatarisht për çdo seancë munguan 24,3% e deputetëve” – ka thënë ajo.

Haxholli shtoi se përgjatë sesionit janë miratuar gjithsej 36 projektligje, numër ky më i ulët se sa në sesionin e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin miratuar 44 projektligje.

“Shprehur në përqindje, agjenda e Kuvendit është përmbushur 28%”- ka thënë ajo.

KDI ka bërë të ditur se ndonëse kishte më pak raste të përdorimit të gjuhës joparlamentare në seanca, situata ishte ndryshe në mbledhjet e komisioneve, veçanërisht në mbledhjet e komisioneve hetimore, ku në mjaft raste deputetët iu drejtuan njëri-tjetrit me shprehje ofenduese.

Haxholli shtoi se gjatë këtij sesioni nuk u ftua asnjëherë në raportim Kryeministri dhe nuk u organizuan interpelanca. Megjithatë, deputetët parashtruan 110 pyetje për Qeverinë, ndonëse numri i pyetjeve krahasuar me sesionin pranveror të vitit të kaluar ishte më i vogël.

“Pyetjet u përsëritën disa herë për shkak të mungesës së përgjigjeve nga ana e ministrave, duke çuar në rritje të numrit të pyetjeve të parashtruara. Qeveria në përgjithësi ofroi vetëm 33 përgjigje, ndërsa përgjigje nuk kanë ofruar kryeministri Kurti, të cilit i janë parashtruar pyetje 36 herë dhe disa nga ministrat e kabinetit, si ministri Xhelal Sveçla, ministrja Arbërie Nagavci e ministrja Rozeta Hajdari. Ministri Hekuran Murati ka ofruar vetëm dy përgjigje, ndonëse i janë parashtruar pyetje 28 herë”- ka thënë ajo.

Haxholli foli gjithashtu edhe për temat kryesore gjatë këtij sesioni, ndërsa prej tyre u veçuan diskutimet rreth Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfundimi i draftimit të Kodit të Sjelljes nga Komisioni për Legjislacion, por i cili ende pret miratimin përfundimtar në seancë.

KDI kërkon nga Kuvendi të shmang mangësitë që kanë karakterizuar sesionin pranveror dhe sesionet e mëhershme, njëherësh kërkon planifikim të mirëfilltë të seancave dhe organizim të seancave çdo javë, pjesëmarrje të rregulltë të deputetëve në punimet e Kuvendit, rritje të mbikëqyrjes ndaj ekzekutivit, rol më aktiv të kryetarit të Kuvendit në zbatimin e Rregullores, dhe garantimin e transparencës së Kuvendit ndaj publikut.