COVID-19 Ilustrim: Naser Fejza

52 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se nga 267 testime, 52 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19 në 24 orët e fundit.

Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Në total numri i rasteve aktive është 250.

Sa i përket vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 6 doza të vaksinës kundër COVID-19

“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.830.405 doza të vaksinës. Deri më sot 823.674 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Deri më sot janë dhënë 103.145 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në njoftim.

Sipas MSh-së, sot janë shëruar 15 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 225 mijë e 384.

Sot Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa asnjë rezervë, sepse sipas tyre, ditëve të fundit është shënuar rritje e rasteve të reja me COVID-19, “ndërsa vaksinimi është dëshmuar të jetë mënyra më e mirë dhe më efikase për të parandaluar infeksionin nga COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga COVID-19”.

Gjithashtu, MSh ka aprovuar dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 edhe për grupmoshën mbi 12-vjeçare, për personat të cilët kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 së paku pesë muaj më parë.

Sipas komunikatës së Ministrisë, deri tani vaksinimi me dozën e tretë ka qenë i lejuar për personat e moshës mbi 18-vjecare, derisa grupmosha 12-17 vjeç ka mundur të vaksinohet vetëm me dozën e parë dhe të dytë.