Një person në Prishtinë kalon pranë një murali dedikuar punëtorëve shëndetësorë, të cilët janë në vijën e parë të frontit në përballje me pandeminë.

51 pacientë me COVID-19 po trajtohen në ShSKUK

51 pacientë të infektuar me coronavirus janë duke u trajtuar në spitalet rajonale dhe klinikat e QKUK-së.

Sipas të dhënave të fundit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, 42 prej tyre janë duke u asistuar me oksigjeno – terapi si dhe një pacient është duke marrë trajtim mjekësor në Klinikën Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Klinika për sëmundje ngjitëse apo Infektive aktualisht është duke trajtuar 19 pacientë, në Pediatri katër pacientë, në Klinikën e Gjinekologjisë trajtim mjekësor janë duke marrë pesë pacientë. Sa i përket trajtimit mjekësor në spitalet rajonale, më së shumti pacientë janë duke u trajtuar në Spitalin e Gjakovës, shtatë të tillë, gjashtë janë duke u trajtuar në Spitalin e Pejës, si dhe nga katër pacientë po trajtohen në Spitalin e Prizrenit, Mitrovicës dhe Ferizajt.

Nga të dhënat e ShSKUK-së, 30 pacientë post-COVID janë duke u trajtuar në ShSKUK, 26 prej tyre në Pulmologji ndërsa katër pacientë të tjerë trajtim mjekësor janë duke marrë në spitalet rajonale.

Pandemia COVID-19 në Kosovë është paraqitur për herë të parë më 13 mars 2020 dhe deri më tani janë prekur mbi 161 mijë qytetarë përderisa mbi 2 mijë prej tyre kanë vdekur.

Javëve të fundit vendi është duke u ballafaqur me variantin e ri “Omicron” dhe shifrat e të të infektuarve Brenda një dite janë duke kaluar shifrën mbi 700.

Aktualisht në nivel vendi janë 5 mijë e 118 raste aktive me COVID-19.