51 ditë pas inaugurimit, Spitali i Pediatrisë nuk funksionalizohet

Dyert e Spitalit të Pediatrisë “Sheikha Fatima” në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë të mbyllura.

Inaugurimi i këtij spitali u bë 51 ditë më parë, por shërbimet pediatrike e kirurgjike nuk janë duke u ofruar ende.

Pas më tepër se 10 ditëve të interesimit të KALLXO.com, Ministria e Shëndetësisë theu heshtjen dhe u përgjigj.

Në përgjigje thuhet se për të filluar ofrimi i shërbimeve, Ministria dhe Shërbimi Spitalor, duhet bërë një plan veprimi që parasheh funksionalizimin e çdo shërbimi në këtë spital.

“Në shtator është bërë pranim – dorëzimi ceremonial i objektit të Spitalit të ndërtuar nga fondet e Emirateve të Bashkuara Arabe, derisa për fillimin e shërbimeve MSh dhe ShSKUK duhet bërë një plan veprimi që parasheh funksionalizimin e çdo shërbimi të paraparë në këtë spital, në përputhje me infrastrukturën e tij dhe resurset njerëzore që duhet angazhuar aty”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë.

MSh gjithashtu sugjeron se “për më shumë detaje, mund të bisedoni me njësinë implementuese në ShSKUK”, ndërsa nga Shërbimi Spitalor thonë se përgjegjësinë për këtë Spital e bartë Ministria e Shëndetësisë.

Punimet për ndërtimin e këtij spitali filluan në mars të vitit 2016 dhe ka vlerën rreth 22 milionë euro.