50 vjet nga Besëlidhja që ndali gjakmarrjen e vëllavrasjen në Malësi

Pesë dekada më parë, një zotim në Kuvendin e burrave në Malësi kishte bërë që të ndalen gjakmarrja e vëllavrasja, fenomene që i përçanin dhe i mbanin të izoluar  shqiptarët në zonën e Malësisë dhe më gjerë, raporton Zëri i Amerikës.

Besëlidhja e Malësisë cilësohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme bashkëkohore të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në rajon.

Përkundër arritjes së marrëveshjes në Malësi, megjithatë, gjakmarrja ende është realitet si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Në Shqipëri, më shumë se 1 mijë 600 familje jetojnë nën një dënim me vdekje të gjithëmonshëm për shkak të gjakmarrjes. Para vitit 1992, kur fushata e pajtimit në Kosovë mbaroi, kishte, të paktën 1 mijë e 200 të vrarë si pasojë e gjakmarrjes.

Njëri nga pjesëmarrësit e Besëlidhjes, njëherazi drejtues i Këshillit, imami Rexhep Lika tha për Zërin e Amerikës se Besëlidhja e Malësisë është një ngjarje historike për të gjithë shqiptarët në rajon.

“Besëlidhja e Malësisë ka një rëndësi të veçantë. Kur e shoh tash mbas 50 vitesh e shoh se ka qenë një vepër historike. Ka sjell shumë dobi për krejt shqiptarët e Malësisë por edhe më gjerë” tha imami.

Ndërsa, famullitari Pashko Gojçaj tha se iniciativa ka qenë nga institucionet fetare por që ka pas mbështetje nga jashtë. Sipas tij kjo ngjarje ka bërë ndryshimin e mentalitetit jo vetëm në Malësi por për të gjithë malësorët kudo që jetojnë.

Veprimtari Xhemal Nika tha që prej atë ditë që u marrë ky vendim në Malësi është respektuar dhe se ata që kanë marrë pjesë i kanë qëndruar besnik edhe tash mbas 50 vitesh.

Sipas Likës ky veprim do të mbes një akt i mirëkuptimit njërëzor ku malësorët e kanë respektuar tash 50 vite.

“Gjenerata që e ka pru Besëlidhjen e ka bërë një punë të mirë, por ajo gjeneratë që e ka aprovuar atë e kanë bërë një punë edhe më të mirë. Se lehtë është me sjellë një vendim por është zor me realizu atë vendim” tha Lika. Sipas tij si pasojë e këtij vendimi  nuk ka hakmarrje në Malësi sepse malsorët vazhdojnë ta mbajnë besën e dhënë.

Më 28 qershor të vitit 1970, fiset dhe familjet nga zona kryesisht shqiptare e Malësisë në afërsi të kryeqytetit, Podgorica, e shpallën “Beslidhjen e Malësisë”, apo “Besa e Malësisë”.

Ata u betuan të hiqnin dorë nga kodi i tyre i lashtë dhe më në fund t’i jepnin fund vrasjeve të pamëshirshme të njerëzve të pafajshëm.

Përgjatë disa shekujve, tradita e vrasjeve sy për sy u përhap në të gjithë Shqipërinë, Kosovën dhe pjesë të Malit të Zi, dhe është akoma e pranishme në disa prej këtyre komuniteteve.

Sipas traditës, të gjitha familjet mbahen përgjegjëse, ose fajtorë, për veprimet e ndonjërit prej anëtarëve të tjerë të saj. Vrasjet për hakmarrje besohet se kanë shkaktuar mijëra vdekje, në disa raste edhe duke i fshirë nga jeta familje të tëra.

Vrasjet për hakmarrje, të quajtura ‘gjakmarrje’, bazohen në  Kanunin e Lekë Dukagjinit, një kod ligji i krijuar në shekullin XV midis fiseve të veriut të Shqipërisë, gjoja nga një fisnik vendas i quajtur Lekë Dukagjini.

Duke u bazuar në këtë kod, familja e një personi të vrarë kishte për detyrë të hakmerrej për vrasjen dhe viktimat mund të ishin secili prej anëtarëve mashkull i familjes së vrasësit, më i vjetër se 18 vjeç.

Sipas traditës, të gjitha familjet mbahen përgjegjëse, ose fajtorë, për veprimet e ndonjërit prej anëtarëve të tjerë të saj. Vrasjet për hakmarrje besohet se kanë shkaktuar mijëra vdekje, në disa raste edhe duke i fshirë nga jeta familje të tëra.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 1970, u formua një këshill koordinimi për të biseduar me familjet, fiset dhe vëllazëritë për ndalimin e armiqësive vdekjeprurëse.

Figurat lokale përfshirë Gergj Daku Gjokaj, klerikë katolikë si Fr. Gjergj Marstjepaj, dhe udhëheqës të bashkësisë islame si Rexhep Lika morën drejtimin e këtij këshilli.

Takimi përfundimtar u parapri me takimet me fshatrat, vëllazëritë dhe fiset në të gjithë Malësinë. Pas disa muajsh bisedimesh, mbledhja e fundit u mbajt në një kinema lokale në Tuz me qindra pjesëmarrës.

Kryesuesi i bordit koordinues, Gjergj Daku Gjokaj, u bëri thirrje pjesëmarrësve të ndalojnë gjakmarrjen që kishte shkaktuar vdekjen e dhjetëra të rinjve. Në atë kohë, 40 familje në Malësi ishin prekur nga gjakmarrja dhe të paktën 150 njerëz ishin vrarë jashtë vendit.