50 mjekë dhe 62 infermierë i bashkohen luftës ndaj COVID-19

Pesëdhjetë mjekë e 62 infermierë nga sot do t’u bashkohen kolegëve të tyre të cilët po trajtojnë pacientët me COVID-19.

Kështu është bërë e ditur në një konferencë për media nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Pranë neve janë 50 profesionistë shëndetësor të cilët nga sot do të bashkohen për kujdesin ndaj pacientëve me COVID—19, 8 laborant kanë filluar në IKSHPK, 4 mikrobiolog, 20 inspektorë sanitarë dje vetëm kanë startuar do t’I rishikojmë të gjitha mudnësitë potenciale dhe buxhetore që të angazhojmë edhe personel shtesë. E kemi prioritet që qytetarët që të mos kenë probleme sa u përket resurseve humane. Në proces e sipër është edhe angazhimi i 100 infermierëve për QKUK-në, ka thënë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

Gjithashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në QKUK, Valbon Krasniqi në një konferencë për media ka bërë të ditur se Shërbimi Spitalor tashmë ka liruar edhe një Klinikë për t’i trajtuar pacientët me COVID-19.

“Ne dje kemi marrë vendim që Klinika e Neurologjisë të destinohet për trajtim të pacientëve me COVID-19 me një kapacitet prej 60 shtretërve”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, Spitali i Vushtrrisë që nga nesër do të trajtojë vetëm pacientët me COVID-19, ndërsa pacientët që kanë nevojë për hospitalizim por që nuk kanë COVID-19 do të trajtohen në Spitalin e Mitrovicës.

“Sot në komitet e kemi marrë edhe një vendim të rëndësishëm. Spitali i Vushtrrisë shumë shpejt do të shndërrohet në Spital COVID-19. Qytetarët e Mitrovicës dhe Vushtrisë me COVID-19 do të marrin trajtim në Spitalin e Vushtrrisë. Do të ristrukturohet edhe stafi shëndetësor. Të gjithë pacientët pa COVID që kanë nevojë për hospitalizim do të trajtohen në spitalin e Mitrovicës”, tha Krasniqi.