Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

50 milionë euro vlera e mbështetjes direkte për bujqësinë më 2021

 

Ministri i Bujqësisë Faton Peci, në një konferencë për media ka bërë Shpalljen e Programit të Pagesave Direkte për fermerët, në vlerë prej 50 milionë euro.

Ministri Peci theksoi se kjo është përkrahja më e madhe që është bërë ndaj fermerëve ndonjëherë.

“I ftoj të gjithë fermerët që të aplikojnë nga dita e mërkurë kur edhe do të hyjë në fuqi Udhëzimi Administrativ për Programin e Pagesave Direkte për Vitin 2021”, ka njoftuar ai.

Peci gjithashtu ka treguar se ky program u mundësua pas vendimit të Qeverisë Kurti 2 për 5 milionë euro përkrahje shtesë dhe se për këtë program ai ka thënë se kanë në dispozicion vlerën prej 21 milionë euro.

“Risi tjetër e këtij programi është edhe mbulimi i Primës së Sigurimit në vlerën prej 75% për 6 kultura bujqësore për fermerët që vendosin t’i sigurojnë kulturat bujqësore. Në aspektin e grurit, mbështetja do të jetë 50%, ndërsa 50% me anë të rendimentit. Sa i përket mbështetjes së vreshtarëve mbështetja do të jetë 1 mijë euro për hektarë, do të thotë deri 100 hektarë për secilin vreshtarë ose biznes”, ka shtuar Peci.

Peci po ashtu ka thënë se Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është ballafaquar me 40 milionë euro obligime ndaj fermerëve dhe se edhe pse e kanë adresuar atë shqetësim, njëherit kanë krijuar kushtet të nevojshme për shpalljen e programit.