Foto: Ilustrim

5 raste të raportuara të dhunës në familje gjatë 24 orëve

Policia e Kosovës, ka përfshirë në raportin 24 orësh, pesë raste të raportuara të dhunës në familje. Për këto raste, sipas njoftimit policor, ka pasur edhe të arrestuar. Njëri nga ta është edhe një burrë nga Prishtina që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten.

“I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Arrestimi tjetër si shkak i dhunës në familje ndodhi në Fushë Kosovë, pasi një burrë ka dyshohet se ka rrahur babanë e tij. Policia thotë se i dyshuari i këtij rasti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa një grua nga Gjakova ka raportuar se është kanosur nga bashkëshorti dhe duke u ndjerë e rrezikuar bashkë me fëmijët është larguar duke u strehuar te familja e prindërve të saj.

“I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Dy rastet e tjera si shkak i dhunës në familje kanë ndodhur në Zveçan.

Sipas Policisë së Kosovës në rastin e parë është arrestuar një grua e cila ka sulmuar fizikisht vëllain e saj. Policia njofton se e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa në rastin tjetër është arrestuar një burri pasi i njëjti në gjendje të dehur ka ofenduar vajzën e tij dhe ka sulmuar fizikisht djalin.

“Me urdhër të prokurorit i dyshuari mbahet në mbajtje deri në këndellje të plotë”, njofton Policia.