Dhuna ndaj gruas - Foto: REL/Shutterstock

5 muaj më parë, Komuna e shpalli si punë të kryer, por Strehimorja ende s’është renovuar

Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Prishtinë gjatë vitit të kaluar për shkak të borxhit që kishte ndaj KEDS po rrezikonte të mbyllej.

Në përmbledhjen e aktiviteteve të bëra nga Komuna e Prishtinës, para pesë muajve, drejtori i Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, Dren Kukaj, ka përfshirë edhe renovimin e strehimores në Prishtinë.

Por, edhe tani, në dhjetor, strehimorja në Prishtinë ende vazhdon të jetë e parenovuar.

Drejtoresha e kësaj strehimore, Zana Asllani, e kontaktuar nga KALLXO.com, ka thënë se ende nuk ka marrë ndonjë premtim konkret se kur do të bëhet renovimi, edhe pse është informuar se paratë për renovim janë siguruar.

“Jemi duke pritur ende, gjendja në strehimore nuk është e mirë, një dhomë është e pashfrytëzueshme, Komuna na ka përkrahur, ka siguruara paratë por nuk e di ende se kur do të fillojë renovimi” ka thënë Asllani.

Në shkurt të vitit të kaluar, në prag të ditës së Shën Valentinit ishte bërë një fushatë për mbledhjen e fondeve, si përgjigje për mungesën e fondeve për strehimoret e dhunës në familje që luftojnë për të mbrojtur gratë viktima të dhunës dhe fëmijët në mbarë Kosovën.

Fushata kishte filluar pas një vizite të organizatores Blerta Avdili në një nga strehimoret që luftonin për të mbrojtur gratë dhe fëmijët që mbijetuan nga dhuna në familje, të cilët u shpëtuan situatave të dhunës në familje nga tetë komuna të ndryshme në Kosovë, ku kishte vërejtur kushtet e këqija të grave.

Organizatorja e kësaj fushate, Blerta Avdili, ka thënë për KALLXO.com se për të ndihmuar strehimoren nga kjo fushatë janë mbledhur  3 mijë e 900 euro.

“Gjithsej janë mbledhur 3 mijë e 900 euro, ndërsa deri më tani kanë mbetur 2 mijë e 929 euro. Paratë e shpenzuara janë përdorur për produkte te qeramikës për strehimore, mjete për rregullimin e thonjve, pasi viktimat shumë shpejt do të fillojnë të trajnohen në strehimore për këtë zanat”, ka thënë Avdili.

Avdili po ashtu ka bërë të ditur se edhe një pjesë e vogël e parave do të shkojnë për pagën e një punëtoreje të re në strehimoren në Prishtinë, ndërsa paratë e tjera pritet që të shkojnë për fondet e strehimores.

Në takimin që ka pasur me zyrtarë të Komunës së Prishtinës, Avdili thotë se nuk ka pranuar datë të caktuar se kur pritet të fillojë renovimi i kësaj strehimore.

Përkundër faktit se drejtori i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj në videon ku  kishe përmbledhur aktivitetet për pesë muajt e parë të vitit, kishte përfshirë edhe renovimin e strehimores,  e njëjta vazhdon të jetë e parenovuar.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe e drejtorin e Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Dren Kukaj, i cili ka thënë se renovimi  i strehimores është në përfundim të procedurave në prokurim.

“Paratë janë ndarë, ka shkuar procedura në prokurim dhe është në përfundim të procedurave të  prokurimit “, ka thënë Kukaj.

Ai tutje ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka ndarë rreth 10 mijë euro për  renovimin e strehimores.

“Kemi pasur problem me linja buxhetore, kanë qenë probleme të brendshme deri sa u siguruan paratë tani parat janë siguruar, pritet të përfundojë procedura e prokurimit dhe të vazhdohet me renovim”, tha Kukaj, duke mos pranuar të japë datë të saktë të fillimit të renovimit.

“Për mua ka qenë sfidë sigurimi i parave dhe të sjell projektin në këtë fazë, por nuk mund të them datë të saktë pasi që varet prej procedurave të prokurimit”, u shpreh Kukaj.

Fushata për mbledhjen e fondeve për strehimoren e dhunës në familje në Ditën e Shën Valentinit

Strehimoret e Kosovës i kanë dërguar letër Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje, Naim Qelaj, duke shprehur shqetësimin për gjendjen e strehimoreve në tërë Kosovën, duke pasur parasysh numrin e madh të rasteve të viktimave të dhunës në familje.

“Sipas raporteve të Policisë së Kosovës gjatë këtij viti  janë raportuar mbi 1 mijë e 300 raste viktima të dhunës në familje. Një numër i konsiderueshëm i tyre kanë kërkuar strehim në strehimoret e Kosovës,  525  raste viktima të dhunës në familje kanë marrë shërbime strehuese vetëm gjatë këtij viti në strehimoret e Kosovës,  34 raste ka pas Qendra  strehuese “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve”, në Prishtine dhe Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore-Prishtine 30 raste, viktima te trafikimit dhe viktima potenciale te trafikimit”, thuhet në letrën e përbashkët të strehimoreve.

Në letër është treguar shqetësimi për mungesën e buxhetit për të filluar vitin 2020, ku aktualisht ka të akomoduar në strehimore gra dhe fëmijë, një pjesë e tyre janë pa asnjë strategji dalëse dhe mbyllja edhe e përkohshme e këtyre strehimoreve do të vinte në rrezik këto gra dhe fëmijë e po ashtu do të mbyllte derën për rastet e reja që mund të jenë në nevojë urgjente për strehim.

“Andaj duke u bazuar që ju si Koordinator Nacional kundër dhunës në familje keni qenë dhe jeni një zë i fuqishëm i viktimave të dhunës në familje në Republikën e Kosovës dhe po ashtu keni qenë çdo herë afër nesh në trajtimin sa më të mirë të këtyre rasteve ju drejtohemi ju që të jeni zëri i strehimoreve të Kosovës dhe zëri i viktimave te Qeveria e Republikës së Kosovës që përmes një fondi emergjent të përkrah strehimorët në vazhdimin e ofrimit të shërbimeve sociale strehuese për viktimat gra dhe fëmijë nga 1 Janari 2020, deri në nënshkrimin e Kontratave të reja me MPMS-në”, thuhet në letrën e strehimoreve.