5 milionë euro subvencione për 1,300 familje kosovare për izolimit të shtëpive | Foto: ZKM
5 milionë euro subvencione për 1,300 familje kosovare për izolimit të shtëpive
Sot më 26.08.2024 është lansuar thirrja publike për subvencionimin e qytetarëve të Kosovës në kuadër të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.
Vlera e këtij subvencioni është 5 milionë euro dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa po zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Qytetarët do të kenë mundësi të subvencionohen 45% të shumës së investimit në implementimin e masave të efiçencës së energjisë elektrike, pa kaluar shumën maksimale 5,500 euro.
Në prezantimin e këtij projekti ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Përfaqësuesin e zyrës së BE-së, Alessandro Bincardi.
Kryeministri Kurti foli për mbështetjen që ka ofruar Bashkimi Evropian për Kosovën me pakon e mbështetjes emergjente për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Bashkimi Evropian ka lansuar pakon përkrahës emergjente për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Republika e Kosovës fitoj 75 milionë euro apo shumen më të lartë për kokë banori në rajon”, – ka deklaruar kryeministri Kurti.
Ndër të tjera kryeministri Kurti përmendi edhe qëllimin e kësaj pakoje dhe njoftoi se 1,300 familje do të përfitojnë nga kjo skemë.
“Qëllimi i kësaj pakoje ishte zbutja e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike, jemi siguruar që përfitimet të jenë të menjëhershme, por jo afatshkurtra, synojmë që t’i subvencionojmë 1,300 familje për t’i izoluar shtëpitë e tyre, për t’i ndërruar dyert e dritaret e jashtme e për t’i izoluar çatitë e shtëpive të tyre”, – ka thënë Kurti.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli foli për mundësin e vazhdimit të kësaj skeme edhe në të ardhmen përmes një sistemi të vetë qëndrueshëm të financimit.
“Është kënaqësi jashtëzakonisht e veçantë që edhe sivjet mund të vazhdojmë këtë skemë të masave edhe ketë herë të mbështetur nga BE-ja, në të ardhmen plani është që kjo skemë të vazhdohet përmes një sistemi të vetë qëndrueshëm te financimit”, – ka njoftuar ministrja Rizvanolli.
Përfaqësuesi i zyrës së BE-së, Alessandro Bincardi në këtë prezantim foli për rolin pozitiv që ka pasur kjo mbështetje e BE-së për Kosovën, kështu duke ju ndihmuar familjeve dhe bizneseve në zvogëlimin e faturave të energjisë elektrike.
“Pakoja përfshin një varg masash për te ndihmuar familjet dhe bizneset që të zvogëlojnë faturat e energjisë dhe të përmirësojnë efiçencën e energjisë, ndikimi i kësaj mbështetje emergjente nga BE-ja është shumë pozitive dhe e prekshme”, – ka deklaruar përfaqësuesi i zyrës së BE-së, Alessandro Bincardi.
Përfaqësuesi i BE-së, Bincardi përmendi faktin së 100 mijë qytetarë kanë përfituar nga subvencionet për fatura e energjisë elektrik.
“Mbi 2500 shtëpi kanë përfituar nga kursimet që janë bëre nga konsumi i energjisë, 100 mijë qytetarë kanë marrë subvencione për fatura të energjisë”, – siç njofton Alessandro Bincardi.
Ndërsa Drjetori i FKEE-së, Driton Hetemi tregoi për zvogëlimin e konsumit të energjisë elektrike që do behët më izolimin e shtëpive të qytetarëve.
“Përmes këtyre masave pritet që konsumi i energjisë për metër katror në vit të reduktohet nga 155 KWh në rreth 110 KWh për këto shtëpi”, – ka thënë Driton Hetemi
Perparim Ahmeti, anëtar i FKEE-së foli për procedurat të cilat duhet ti ndjekin qytetarët gjatë kohës kur aplikojnë.
“Për tu kualifikuar për subvencion për aplikimin e këtyre masave qytetaret duhet ta kuptojnë listën e kritereve që i kemi përcaktuar, qytetaret duhet ta kenë konsumin minimal prej 250 Kwh për muaj për 21 muja brenda dy viteve të fundit”, ka njoftuar Ahmeti.
Nesër me 27.08.2024 në ora 09:00 do te hapet aplikimi për këto subvencione në E-kosova dhe afati për aplikim do të zgjasë dy javë.
Shënim: Artikulli është edituar më 26.08.2024