5 migrantë të huaj zbritën nga mali dhe hynë në veturën e të dyshuarve

Dy persona janë ndaluar nga Policia Kufitare e Kosovës si të dyshuar për kontrabandim me migrantë.

Në njoftimin e Policisë thuhet se njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare ”Perëndimi” në Gjakovë, gjatë realizimit të planit operativ “Migrimi i parregullt” sot rreth orës 13:15  gjatë  vëzhgimit të terrenit kanë vërejtur lëvizje të dyshuara të një automjeti “Audi 80” me targa vendore,  i cili pastaj ishte ndalur në skaj të autostradës në afërsi të fshatit Shkozë-Vermicë.

Patrullat e Policisë kanë monitoruar dhe vëzhguar automjetin, kur në një moment në automjet kanë filluar të hyjnë 5 persona, të cilët kanë ardhur nga pjesa malore afër autostradës.

Policia menjëherë ka ndërmarrë veprime konkrete duke ndaluar dhe identifikuar të dyshuarit dhe personat e tjerë të cilët kanë rezultuar të jenë migrantë shtetas të huaj.

Është iniciuar rasti ndaj personave të dyshuar për kontrabandim me migrantë  si dhe janë njoftuar të gjitha njësitet relevante, përfshirë njësinë për migrim dhe të huaj, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes për trajtim dhe  procedim të mëtutjeshëm të rastit dhe trajtim të personave të huaj sipas ligjeve në fuqi për të huajt.

Të gjitha veprimet policore janë kryer në konsultim me prokurorin e Prokurorisë kompetente.

Dy persona të dyshuar, shtetas të Kosovës, janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të rastit për procedura të mëtejme ligjore.