480 milionë euro kredi të aprovuara që nuk janë shfrytëzuar nga institucionet

Drejtori i Thesarit në Ministrinë e Financave, Ahmet Ismaili, ka deklaruar se Kosova ka 480 milionë euro kredi të aprovuara të cilat nuk janë shfrytëzuar nga institucionet përkatëse për arsye të ndryshme.

Këtë ai e tha në tryezën e organizuar nga BIRN Kosova në partneritet me 10 organizata jo-qeveritare të Ballkanit në të cilën u diskutua për borxhin publik dhe kapacitetin e institucioneve për t’i menaxhuar kreditë.

“Nga të dhënat e fundit janë 480 mil euro është vlera e kredive të aprovuara por nuk janë shfrytëzuar ende për arsye të ndryshme. Dy marrëveshje janë që po presin në Kuvend, njëra për kadastrën dhe tjetra për fuqizimin e sektorit financiar apo fondi për fuqizimin e kredive”, ka shtuar Ismaili.

Ismaili ka shtuar se sfida kryesore që kanë çuar në mos shfrytëzimin e këtyre mjeteve janë kuadrot profesionale, procedurat e prokurimit, shpronësimet dhe procesi buxhetor.

“Ne kemi filluar të raportojnë në Qeveri për shkaqet se pse nuk po ekzekutohen këto investime kapitale edhe pse mjetet janë të alokuara në mënyrë që organizatat buxhetore t’i tregojnë këto shkaqe”, ka thënë Ismaili.

Sipas të dhënave të fundit borxhi publik i Kosovës ka arritur në 1 miliardë 208 milionë euro. Norma e interesit është 2.14 për qind, koha mesatare për kthimin e borxhit është 5.2 vjet. 11% e borxhit është valutë jo euro.