COVID-19 Ilustrimi- Naser Fejza

48 raste pozitive me COVID-19 në 24 orët e fundit

2 mijë e 288 testime për Coronavirus janë bërë brenda 24 orëve në Kosovë nga Institutit Kombëtar i Shëndetësisë, prej tyre 48 kanë rezultuar pozitive me SARS-CoV-2.

Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se në Prishtinë janë shënuar 21 raste pozitive dhe njëherësh është komuna me më së shumti raste pozitive të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit, përderisa në komunat tjera janë shënuar nën 10 raste pozitive.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka bërë të ditur se nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes me COVID-19, ndërsa ka treguar se pesë qytetarë janë shëruar nga virusi kështu duke arritur numri i të shëruarve në 105 mijë e 665.

Numri i rasteve pozitive, por edhe i rasteve aktive ka filluar të rritet ditëve të fundit, aktualisht në Kosovë janë 582 raste aktive me coronavirus.

Deri më tani 108 mijë e 513 qytetarë janë infektuar me SARS-CoV-2, prej tyre 2 mijë e 266 kanë vdekur.

Në anën tjetër është duke vazhduar procesi i vaksinimit në nivel vendi.