48 orë nga vrasja e trefishtë në Gllogjan, Policia ende nuk ka emër të dorasit

Edhe pak minuta bëhen 48 orë nga ngjarja e rëndë e cila ndodhi në orët e mbrëmjes të së premtes kur u krye një vrasje e trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Deri më tani organet e rendit nuk kanë asnjë emër për dorasin apo dorasit të involvuar në krimin e kryer të premten mbrëma.

Kështu ka thënë kryeministri Albin Kurti pas vizitës që pati në stacionin policor në Deçan gjatë ditës së sotme.

Deklaratën para Policisë ai e dha pasi kishte mbaruar ceremonia e varrimit të dy nxënësve që vdiqën si pasojë e plagëve të marra nga plumbat e Kallashnikovit që u gjuajtën drejt autobusit.

“Kur jemi në prag të 48 orëshit fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen mirëpo nuk po mungon angazhimi dhe është shtuar numri i zyrtarëve që po merren me hetimin në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës e në veçanti, familjet e të afërmit të prehen të qetë duke sjellë para drejtësisë vrasësin apo vrasësit”, tha Kurti para gazetarëve.

Tutje ai rikonfirmoi se ka persona që janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.

“Momentalisht nuk e kemi të dyshuarin porsa të kemi informacion me siguri që do të ju njoftojmë. Po rritet sasia e informacioneve që po marrin. Edhe nga vendi i ngjarjes por sidomos nga marrja në pyetje të dëshmitarëve por nuk kemi emrin e vrasësi apo vrasësve”, tha Kurti tutje.

Edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ripërsëriti se janë duke ndjekur dy-tri pista të dyshimta por deri tani nuk ka asnjë informacion për të dyshuarin apo të dyshuarit.

“Ne jemi duke punu në dy-tri pista të cilat potencialisht mund të jenë motive të ndryshme që ka mujt me ardh deri te vrasja. Jemi duke biseduar me stacionin e autobusëve por edhe me persona që kanë pasur kontakt me shoferin dhe viktimat, me të gjithë personat që mund të kenë ndonjë informatë rreth rastit”, tha Mehmeti.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se në drejtim të autobusit i cili u sulmua të premten në mbrëmje nuk u zbraz një karikator ashtu siç kishte deklaruar dje prokurorja e rastit Sahide Gashi por më pak se 10 plumba.

Gëzhojat e plumbave janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe janë marrë në cilësinë e provave.

Që nga mbrëmja e së premtes vazhdimisht ekipet policore, ekspertë e zyrtarë të prokurorisë janë parë në vendin e ngjarjes për të mbledhur të gjitha provat e nevojshme që lidhen me sulmin tragjik që ndodhi.

Dy nxënës dhe shoferi i autobusit kanë vdekur si pasojë e plagëve të marra nga sulmi me armë ndërsa një nxënës tjetër është plagosur dhe i njëjti është duke u trajtuar.

Gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria ofron 20 mijë euro për personin që ka informacion se kush ishte apo ishin të involvuarit në vrasjen e trefishtë.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar në lidhje me rastin.