47-vjeçari shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm arrestohet në Greqi

Një 47 vjeçar shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm është arrestuar më 03.01.2025, në Athinë.

Sipas Policisë së Shtetit në Shqipëri, për arrestimin e tij është zhvilluar operacion i përbashkët me Policinë e Greqisë.

“Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia greke finalizoi operacionin ‘IN TIME’ – duke arrestuar këtë shtetas.” – thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Ndërsa, është bërë e ditur se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.