46 raste aktive me COVID-19 në Vushtrri

Ndonëse masat lehtësuese ndaj pandemisë COVID-19 kanë hyrë në fazën e tretë në Kosovë, numri i të prekurëve po vazhdon të rritet.

Ndër vendet më të prekura është Komuna e Vushtrrisë. Aktualisht kjo komunë ka 46 raste aktive.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli tha për KALLXO.com se gjendja e të infektuarve është e mirë dhe se shumica prej tyre janë në vetizolim.

Meholli shtoi se 3 nga të infektuarit janë dërguar në Klinkën Infektive dhe se të gjithë janë raste kontakti.

“Me sa kam informata, 2 nga rastet nga mbrëmë janë duke u trajuar në Klinikën Infektive kurse të tjerët janë në vetizolim. Me sa e di edhe një para këtyre ka qenë në Infektivë. Të gjitha rastet janë raste kontakti. 46 raste  janë gjithsej aktive në Vushtrri. Gjendja e shumicës për të mos thënë të gjithëve është stabile”, tha drejtori Meholli.

Që nga 13 marsi, kur në Kosovë është regjistruar rasti i parë me COVID-19, e deri më sot, janë të infektuar 1083 persona, 843 të shëruar dhe 30 të vdekur.