COVID-19 - Ilustrim: Naser Fejza

46 persona të infektuar sot me COVID-19, Zemaj propozon lehtësim të masave

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar 46 persona të infektuar me COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes një postimi në Facebook.

“Kultura qytetare, respektimi i masave dhe rekomandimeve të vendosura prej Ministrisë së Shëndetësisë me rekomandim të IKShPK-së, si dhe koordinimi i plotë me të gjithë akterët tjerë, po sjell rezultate të kënaqshme”, ka shkruar ai.

Sipas tij, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit pozitive dhe trendin e rënies së lakores të rasteve të infektimeve, sot, për në mbledhjen e Qeverisë do të propozoj lehtësimin e masave, por duke mbetur të gjithë të përkushtuar dhe vigjilent.

“Veprimi i përbashkët me të gjitha nivelet e shëndetësisë, me pushtetin lokal dhe të gjithë akterët relevant për zbatimin e masave anti covid, sollën edhe rezultate të mira edhe propozimin e lehtësirave të këtyre masave. Së bashku, do të zbatojmë edhe masat lehtësuese, sepse vetëm ashtu mund të kemi sukses. Faleminderit qytetarëve dhe të gjitha institucioneve të përfshira për arritjen e përbashkët”, ka shkruar Zemaj.

Në fund ka thënë se mosrespektimi i rekomandimeve për masat lehtësuese, do të sjell vendime adekuate me gjendjen e krijuar.

“Por, kam besim të plotë, sikur deri sot, të respektohen vendimet dhe përkushtimin kundër virusit covid 19”, ka shtuar Zemaj.