Foto: Shpend Ahmeti/Facebook

45 profesionistë nga Kosova ndihmuan në vlerësimin e dëmeve nga tërmeti në Shqipëri

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se 45 profesionistë nga Kosova, duke përfshirë inxhinierë e vullnetarë, profesionistë të sektorit privat, Komunës së Prishtinës dhe NPB-së kanë ndihmuar në vlerësimin e dëmeve nga tërmeti në Shqipëri.

“Në këtë fazë emergjente falë inspektimit tyre profesional ndihmuan qeverinë shqiptare që ta ketë më të qartë gjendjen e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ahmeti ka thënë se falë përpjekjeve tyre në shumicën e shkollave në zonat e prekura nga tërmeti mund të vazhdojë mësimi.

“Faleminderit çdonjërit prej tyre”, ka përfunduar Ahmeti.

Nga tërmeti vdekjeprurës i së martës kanë mbetur të vdekur 51 persona dhe qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe pa strehim.

Po ashtu edhe shumë objekte të banimit janë shpallur si të pabanueshme.