Akademia e Shkencave dhe Arteve te Kosoves Foto: ASHAK

44 vjet nga themelimi i AShAK-ut

Më 18 prill të 1978, Kuvendi i atëhershëm i Kosovës miratoi ligjin për themelimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Por, gurthemeli i AShAK-ut u hodh në tetor të 1975, me themelimin e Shoqatës së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Poeti Esad Mekuli (1916-1993) ishte kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Kosovës nga 1975 deri më 1979.

Fillimi i viteve të ‘70-ta të shekullit të kaluar solli një bum në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Kosovë, sidomos pas themelimit të Universitetit të Prishtinës dhe disa enteve-instituteve shkencore.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve dhe nevojës për themelimin e institucioneve të larta shkencore, Kuvendi i Kosovës më 1974 ngriti Komisionin Amë për themelimin e Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Në tetor të 1975, ky komision zgjodhi 11 anëtarë të rregullt dhe 2 anëtarë korrespondentë të Shoqatës, së sa po formuar. Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978.

“Në fillim të viteve ’70, fare natyrshëm dhe para­lelisht me kërkesat për mëvetësimin e Kosovës në rrafsh të barabartë me njësitë e tjera federale të Jugosllavisë, u shtrua nevoja për krijimin e institucionit më të lartë të shkencës dhe të arteve. Në përgjigje të kërkesave të tilla Kuvendi i Kosovës më 1974 ngriti Komisionin Amë për themelimin e Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Brenda muajit tetor 1975 Komisioni zgjodhi 11 anëtarë të rregullt dhe 2 anëtarë korrespondentë të Sho­qatës. Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978”, thuhet në historikun e akademik Rexhep Ismajlit, postuar edhe në uebfaqen e AShAK-ut.

Fillimisht AShAK punën e tij e zhvilloi në bashkërendim me institucione arsimore dhe shkencore që atë kohë vepronin në Kosovë, si Universiteti i Prishtinës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Instituti Hidrome­teorologjik, etj.

Në fillim AShAK-u kishte tri Seksione: Seksionin e Shkencave Shoqërore, Seksionin e Shkencave të Natyrës dhe Seksionin e Gjuhësisë, të Letër­sisë dhe të Arteve, ndërsa nga 1994, Seksioni i Gjuhësisë Letërsisë u nda në dy seksione: në Atë të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe në atë të Arteve.

Nga 1976 AShAK nisi edhe botimin e revistave, monografie dhe botimeve tjera shkencore nga. Veprimtaria e këtij institucioni është përcjell me mjaft sfida. Sidomos pas 1990 me suprimimin e Autonomisë së Kosovës nga Serbia, dhe pushtimin klasik, çka solli edhe mbylljen e dhunshme të AShAK-ut nga autoritetet serbe me 1992.

AShAK-u nuk u shkapërderdh, por iu bashkua lëvizjes gjithëkombëtare duke vepruar në kuadër të sistemit paralel të organeve të Kosovës, deri në çlirim. Duhet theksuar se anëtarë serbë të ASHAK iu binden autoriteteve serbe, dhe pas vitit 1992, ata u larguan nga akademia duke iu bashkangjitur asaj serbe.

Pas luftës veprimtaria e AShAK u thellua, ndërsa numri i anëtarëve të akademisë u rrit. Por, edhe kritikat ndaj saj për mos punë, nepotizëm e neglizhencë u shtuan dukshëm, veçmas pas botimit të Monografisë “Kosova” dhe botimit të “Fjalorit enciklopedik të Kosovës”.

Aktualisht AShAK-u funksionon në objekt modern, ka 37 akademikë të rregullt dhe me korrespondencë. Kryetar është Mehmet Kraja.