Foto: BBC

41 persona me HIV, janë trajtuar gjatë vitit 2021 në Kosovë

Dyzetenjë persona kanë kërkuar ndihmë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, e të cilët kanë probleme shëndetësore me virusin HIV.

Kështu thotë për KALLXO.com, shefi i repartit për pacientët me HIV në Klinikën Infektive, Murat Mehmuti.

“Klinika Infektive është duke trajtuar 41 persona të prekur me HIV gjatë vitit 2021”, tha ai për KALLXO.com.

Të dhënat e Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tregojnë se që nga viti 1986, kur është gjetur rasti i parë me HIV në Kosovë, e deri më 1 dhjetor të vitit 2020, janë identifikuar 132 raste të infektimit me HIV/AIDS, përderisa kanë vdekur 51 persona të prekur me këtë virus.

Ndonëse Kosova është në mesin e shteteve me shkallë të ulët të përhapjes së këtij virusi, në të dhënat e IKShPK-së thuhet se rreziku me i lartë për përhapje të tij është në mes popullatës ‘MSM’ apo atyre që kryejnë marrëdhënie seksuale meshkuj me meshkuj.

HIV/AID është infeksion e cila dobëson sistemin imunitar të personit të prekur, e cila transferohet nga njëri te personi tjetër përmes marrëdhënieve seksuale.

Çdo 1 dhjetor në të gjithë botën shënohet dita ndërkombëtare për luftimin e infeksionit HIV/AIDS, duke u shënuar shumë aktivite përmes së cilave qytetarët informohen në lidhje me këtë problem shëndetësor. Kjo datë shënohet edhe në Kosovë.

Personat e prekur me këtë infeksion duhet të mirëmbajnë stilin e tyre të jetës në mënyrë që të ndikojë pozitivisht në imunitetin e tyre, pasi ky virus karakterizohet me dobësim të imunitetit, gjithashtu duhet të flenë më së paku tetë orë në ditë dhe të mos stresohen.

Organizata Joqeveritare për Zhvillimin e Grupeve të Shoqërisë, në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se nga janari i këtij viti e deri më 24 nëntor, në klinikën mobile janë testuar mbi 1 mijë persona për HIV, Hepatit B dhe Sifiliz, ndërsa vitin e kaluar, duke pasur parasysh edhe ballafaqimin me pandeminë e coronavirusit, në këtë klinikë janë testuar afërsisht 450 persona.

Çka është HIV dhe çka AIDS?

Sipas organizatës për Zhvillimin e Grupeve të Shoqërisë, HIV sulmon sistemin imunitar të njeriut si pasojë e kësaj personi i prekur me HIV e ka të pamundur të luftoj me një numër të madh të infeksioneve apo sëmundjeve të tjera, që quhet faza me AIDS.

“AIDS nënkupton gjendjen shëndetësore dhe imunitare shumë të dobësuar të personit”, thuhet në sqarimin e Organizatës, dhënë për KALLXO.com.

Personi i infektuar me HIV duhet të filloj sa më parë terapinë ati- retro viral – ARV, përmes së cilës personit të infektuar i mundësohet të jetojë shëndetshëm dhe pa komplikime.

Shërbimi për terapinë ARV ofrohet falas nga Ministria e Shëndetësisë për personat të cilët jetojnë me HIV.

Në fund të vitit 2019 rreth 38 milionë njerëz ishin me HIV përderisa llogaritet se 1 në 5 njerëz nuk e dinë se janë të prekur me HIV.

Nga infeksioni HIV në nivel global llogaritet se kanë vdekur rreth 33 milionë njerëz.

Sipas statistikave të IKShPK-së llogaritet se 62% e të infektuarve në mbarë botën i takojnë grupmoshave 15 deri 49 vjeç.

Infeksioni me HIV është i pashërueshëm, por HIV nuk është një sëmundje.