400 mijë euro për liqenin akumulues në Komunën e Klinës
Në vitin që vjen, parashihet të ndërtohet liqeni akumulues për ujë të pijshëm në Komunën e Klinës. Në projektin e titulluar “Ndërtimi i Liqenit akumulues për ujë të pijes në Komunën e Klinës”, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, parashikoi buxhet në vlerë 400 mijë euro për të realizuar këtë projekt kapital.
Sipas projektligjit për buxhetin e vitit 2021, i cili është ende draft, shpenzimet e përgjithshme për projekte kapitale të deritashme, të këtij dikasteri të Qeverisë janë në vlerën e 279,506,252.00, ndërsa si vazhdimësi i projekteve nga 2020-ta në vitin 2021 do të shpenzohen 21,499,001. Në anën tjetër, shpenzimet për projektet e reja që pritet të fillojnë në vitin që vjen kapin vlerën e 4,208,000 euro.
Me datën 30 të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës, në krye kryeministrin Avdullah Hoti ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.
Në mbledhjen e Qeverisë, shefja e kuletës së shtetit, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se shpenzimet buxhetore do të jenë rreth 2.4 miliardë euro.
“Ekonomia për vitin 2021 pritet të rritet me 5.1%. Gjatë 2021 pritet një dinamikë më e shpejtë e investimeve publike. Gjatë vitit duhet të rifanciojme 162 milionë për borxhin aktual. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të jenë rreth 2 milardë e 400 mijë euro. Shpenzimet për paga pritet te jenë 625 milionë euro”, citohet të ketë thënë ministrja Bajrami.
Sipas njoftimit të komunës, në muajin shtator të sivjetmë, kreu i kësaj komune, Zenun Elezaj së bashku me bashkëpunëtorët e tij, e kishte pritur për vizitë ministrin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ku diskutuan lidhur me projekte të cilat janë planifikuar të investohen në këtë komunë.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.