Foto: Gjykata Themelore në Gjilan

40 ditë paraburgim për futbollistin nigerian të Gjilanit, dyshohet për dhunë në familje

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar 40 ditë paraburgim, futbollistit nigerian të KF Gjilanit me inicialet Th.S., pasi që dyshohet për dhunë në familje.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi se me datë 14 shkurt 2021, në Tiranë, i dyshuari Th.S., në shtëpinë e tyre të përbashkët i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarës me inicialet E.P.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Th. S. dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit janë të bazuara” – thuhet në njoftimin e Gjykatës në Gjilan.

I dyshuari kishte urdhërarrest ndërkombëtar, ndërsa më parë ishte arratisur nga Shqipëria dhe me datë 17 tetor 2022 kishte marrë leje qëndrim me vendbanim në Prishtinë.

“Nga shkresat e lëndës i njëjti ka shtetësi të Nigerisë, rrethana këto të mjaftueshme se po të gjendet në liri mund të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.