4 zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes për më shumë se 1 muaj nuk shkuan në punë

Katër punëtorë të Ministrisë së Mbrojtjes për më shumë se një muaj nuk kanë shkuar në punë gjatë vitit 2019.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se tre punëtorët nuk kanë shkuar në punë deri në 30 ditë, kurse një punëtor tjetër deri në 46 ditë, duke përjashtuar pushimet vjetore, mjekësore dhe festat zyrtare.

ZKA në raportin e auditimit për vitin 2019, ka shtuar se me këtë është reflektuar mungesa e kontrolleve dhe mbikëqyrjes nga drejtorët e departamenteve përkatëse të punonjësve dhe neglizhimit të ardhje/vajtjes së punonjësve në punë.

Ministria e Mbrojtjes në vitin 2019 udhëhiqej nga Rrustem Berisha i AAK-së, si pjesë e Qeverisë së PAN-it.

Sipas Auditorit, mungesa e dëshmive të cilat konfirmojnë se zyrtarët të cilët paguhen nga ministria, janë duke punuar dhe se kompensohen vetëm për punën e bërë, rritë rrezikun e kryerjes së pagesave për zyrtarë të cilët fare nuk kanë punuar si dhe sipas tyre kjo është në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi dhe ndikon në dëmtim të buxhetit.

Ndërsa, sipas Ligjit Për Shërbyesit Civil, neni 36 dhe rregullorja së Qeverisë 05/2010 për orarin e punës, neni 4, punëtorët janë të obliguar të punojnë 40 orë në javë.

ZKA ka rekomanduar që ministri duhet që të shqyrtoj arsyet e mos vijimit në punë të zyrtarëve, ose në të kundërtën, të aplikoj ndalesat në paga për mungesën e paarsyeshme në punë.

“Në anën tjetër, në rast të përsëritjes së gjendjes, ministri të merr masat për ndërprerjen e kontratave sipas kërkesës së ligjit për Shërbyesit Civil dhe rregullores së lartë përmendur”, është thënë më tej në raport.

KALLXO.com po ashtu raportoi se nga ky raport auditori kishte gjetur se Ministria e Mbrojtjes i ka angazhuar 56 zyrtarë me kontrata mbi vepër gjatë vitit të kaluar.

Auditori: Ministria e Mbrojtjes angazhoi 56 persona me kontrata mbi vepër

.