Foto-ilustrim
4 vjet burg ndaj personit për kërcënim ndaj bashkëshortes, i cili në seancë kërcënoi edhe dy gjyqtarë
Gjykata e Prishtinës, dega në Podujevë, e ka dënuar me 4 vjet burgim të akuzuarin për kanosje ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.S. ka kanosur dy gjyqtarë, G.B. dhe A.F., gjatë seancës së shqyrtimit fillestar për veprën penale – kanosje ndaj bashkëshortes.
Rasti i kanosjes ka ndodhur më 5 dhjetor.
Lidhur me këtë çështje, sot është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, gjatë të cilës i pandehuri F.S. e ka pranuar fajësinë.
Pas pranimit të fajësisë, Gjykata shpalli aktgjykimin përmes të cilit i pandehuri u dënua me 4 vjet burgim.
Po ashtu, Gjykata ka njoftuar se lidhur me veprën penale – kanosje, ndaj të pandehurit ka caktuar masën e paraburgimit.
Gjykata vlerësoi që caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ku dyshohet se është kryer ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij L.S., si dhe karakteristikat e tij personale.
Sipas njoftimit, i pandehuri më parë ka qenë i dënuar me burgim në 5 çështje penale.
Duke pasur parasysh këto rrethana, gjyqtari i vetëm gjykues pas dëgjimit të palëve në seancën e shqyrtimit fillestar dhe analizimit të shkresave të lëndës vërtetoi se kundër të pandehurit është i nevojshëm dhe i domosdoshëm caktimi i masës së paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Kërcënohen me jetë dy gjykatës nga një i dënuar (kallxo.com)
Shënim: Më 08.12.2022 është ndryshuar titulli i artikullit dhe është edituar kualifikimi i veprës penale.