Ilustrim- Foto: Policia e Kosovës

Policia arreston 4 serb në kufirin Kosovë-Serbi, po gjuanin me armë në bjeshkët e Istogut

Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Istog, dje rreth orёs 17:00 ёshtё informuar nga njё qytetar, se nё bjeshkёn Mokna janё duke u dёgjuar tё shtёna me armё zjarri.

Njësitet Policore tё Stacionit Policor Istog menjёherё iu kanё përgjigjur rastit dhe me tё arritur nё vendngjarje në vendin e quajtur Savina Voda, në bjeshkёn Mokna, Istog, nga zyrtarët policorë fillimisht ёshtё vëzhguar situata dhe pas njё kohe tё shkurtër kanё dëgjuar tё shtёna nga armёt e zjarrit.

Policia menjëherë ka marrё veprimet e duhura nё tri lokacione në distancë prej rreth 100 metra nga njёra-tjetra.

Sipas Policisë, nё ato lokacione ishin tё vendosura disa “tenda” dhe se aty ishin disa persona dhe automjete.

Policia nё koordinim tё plotё me prokurorin e shtetit kanё filluar kontrollimin e tendave, veturave dhe personave qё ishin prezentë dhe nё kёto lokacione janё gjetur dhe konfiskuar: 1 pistoletë e tipit M57 me 1 karikator dhe 24 fishekë, 1 pistoletë e tipit CZ99 me 2 karikatorë dhe 15 fishekë, 1 pushkë automatike e tipit AK47 me 2 karikatorë dhe 92 fishekë, 1 pushkë (karabinë) me një gëzhojë të shkrepur nga pushka e njëjtë, 1 pushkë gjuetie me 14 fishekë.

Lidhur me kёtё rast janё arrestuar 4 persona tё dyshuar:  R.K. i lindur më 1972 në fshatin Zubqe- Zubin Potok, P.L. i lindur më 1984 nga Mitrovicё, G.M. i lindur më 1971 në  Mitrovicё, dhe M.U. i lindur më 1993 në  Zubin Potok.

Tё dyshuarve, pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të shtetit u është caktuar masa e ndalimit policor dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.