Pika kufitare në Bërnjak. Foto: KALLXO.com

4 serbë tentojnë të hyjnë në Kosovë me teste PCR të falsifikuara

Katër shtetas serbë kanë tentuar dje të hyjnë në Kosovë nga pika kufitare në Bërnjak me teste PCR negative të falsifikuara.

Policia e Kosovës ka njoftuar se personat e dyshuar në hyrje të vendkalimit kufitar kishin prezantuar testin PCR negativ të falsifikuar.

Policia ka shtuar se në konsultim me prokurorin ndaj të dyshuarave është inicuar ‘lënda e rastit Falsifikim i dokumentit’ dhe personave i është refuzuar hyrja në Kosovë.

Në këtë rast kanë qenë të përfshirë dy burra dhe dy gra. Ata kanë tentuar të hyjnë në Kosovë në ora 14:40.

Policia ka shtuar se rasti është në procedurë të rregullt.

Qeveria e Kosovës më 4 shkurt ka miratuar masat e reja për COVID-19. Sipas masave, hyrja në Kosovë u lejohet personave që posedojnë certifikatën e vaksinimit me dy vaksina apo me një nëse është nga Johnson&Johnson , vetëm më një dozë bashkë me testin PCR dhe personi që ka kaluar COVID-19 në tre muajtë e fundit ose nëse është testuar negative me test PCR në 48 orët e fundit.