4 raste të reja me COVID-19 në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan

Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë konfirmuar edhe katër persona të prekur me coronavirus, duke e çuar numrin e të infektuarve në 27, raporton Kossev.

Këtë e ka konfirmuar epidemiologu, Aleksandar Antonijeviq, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Mitrovicën e Veriut.

Në Mitrovicën e Veriut në 24 orët e fundit ka tre raste të reja (gjithsej 14 burra, tre gra) dhe një në Zveçan (gjithsej katër burra dhe tre gra), me dy raste të hershme në Leposaviq, me një grua nga Dobrotini, e cila ishte regjistruar si rasti i parë i infektuar.

Antonijeviq tha se sot janë marrë 24 mostra dhe se këto rezultate do të dërgohen në Institutin e Veterinarisë në Kralevë.

Mitrovica e Veriut dhe Zveçani janë futur në karantinë në mbrëmjen e së premtes, sipas një vendimi nga shtabet e krizave të dy komunave.