Komuna e Prishtinës

37 parcela në "Zonën Industriale" në Prishtinë, shfrytëzohen nga biznese private pa asnjë kompensim ndaj komunës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se të paktën 37 parcela të “Zonës Industriale” në Prishtinë, me një sipërfaqe prej 6 hektarë, shfrytëzohen nga biznese private pa asnjë kompensim ndaj Komunës së Prishtinës, duke i shkaktuar humbje financiare për buxhetin e komunës.

Përveç shfrytëzimit të pronave pa kompensim, Auditori ka gjetur që ka disa persona i shfrytëzojnë pronat publike edhe përkundër se iu ka skaduar kontrata.

Në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal, në vitin 2007 ishin dhënë me qira 21 banesa për ish këshilltarët komunal. Gjithashtu, në vitin 2008, me vendim të komisionit për çështje banesore, ishin dhënë edhe 22 banesa tjera me qira për punëtorët administrativ.

Nga testimi i 3 mostrave/kontratave për qiradhënie nga Auditori, ku afati i shfrytëzimit ishte për periudhën 10 vjeçare përkatësisht deri më 2017/2018, Auditori ka gjetur se edhe përkundër që kontratat nuk janë vazhduar, qiramarrësit vazhdojnë shfrytëzimin e banesave/pronën publike.

Përveç kësaj, edhe pse kompensimi për shfrytëzim ishte minimal 30 centë për metër katror, pagesat e qirasë nuk ishin bërë me kohë të rregullt, dhe borxhet e akumuluara ndër vite janë 11,733 euro.

“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve adekuate dhe mos veprimit të menaxhmentit për trajtimin e kësaj çështje, me gjithë rekomandimet e përsëritura në vazhdimësi”, ka evidentuar Auditori në raport.

Sipas Auditorit, mungesa apo edhe skadimi i kontratave për shfrytëzim të pronës, e vendosë komunën në situatë të vështirë për realizimin e të hyrave, por edhe për ndjekur procedura gjyqësore/përmbarimore për llogarit e paarkëtuara.

“Komuna nuk ka arritur ta trajtojë këtë çështje për vite me radhë edhe përkundër zotimeve me planet e veprimit. Kjo situatë ka krijuar hapësirë që këto prona të keqmenaxhohen dhe keqpërdoren nga shfrytëzuesit”, theksohet në raport.

Auditori i ka rekomanduar kryetarit të Prishtinës që t’i përmbahet zotimeve sipas planit të veprimit të përgatitur nga vet komuna që çështja e këtyre pronave të zgjidhet duke përdor të gjitha mundësit ligjore.

“Të siguroj se pronat komunale shfrytëzohen vetëm përmes kontratave valide, dhe marrjen e veprimeve konkrete në inkasimin e të hyrave”, përfundon Auditori.

Komuna e Prishtinës është pajtuar me këtë gjetje.